LAJME

Djalin e përcollëm shnosh si molla, na erdhi në sanak copa- copa – Albnews

Janë bërë më shumë se një muaj që nga vdekja e trishtë e 43 vjeçarit nga Peja, Visar Muriqi.

I ndjeri, më datën 11 tetor të këtij viti ishte kontaktuar nga një bashkëvendas që në një pompë derivatesh, të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate tjera.

Pa e ditur se ajo do të jetë dita e fundit e jetës së tij, Visari e pranoi këtu punë për hiç më shumë se 30 euro.

Shpërthimi i cisternës ishte fatal për të. . ka vizituar familjen e të ndjerit, për të mësuar më shumë rreth këtij rasti.

Prindërit e Visarit nuk i ndalin lotët për as edhe një moment, derisa rrëfejnë se si mësuan për vdekjen e të birit.

Tryezën e mëngjesit atë ditë e shtruan pa të, kafshatë kjo që u mbeti në fytë me të marrë lajmin për vdekjen e të birit.

 “Po atë ditë ishte e premte 11 data, djali ka shku si gjithë me punu si gjithë tek këta kojshitë. Unë nuk e kam ditë që ka me shku atje, ata ishin shku me kry një punë i kish pa thirrë ai, kish pas një cisternë me pre. Ai e ka pytë a është rrezik a nuk është…ai ka thënë jo nuk është se janë ventillat krejt qelun janë qe sa vjet. Ata kanë fillu me pre, aty tu e pre veç ka eksplodu dhe ja ka marrë jetën djalit”, thotë babai i Visarit, Shaqir Muriqi.

Mes tjerash, Shaqiri rrëfen mes lotësh për momentin kur mësuan për vdekjen e të birit.  

“Erdh ky kojshia me atë vëllaun e kish pa ndi atje në Pejë, na kem tu honger bukë … e qeshtu! Lëndim më të randë s’ka ”, thotë tutje Shaqiri.

“E kemi përcjellë djalin shnosh si molla e na ka ardh copa- copa në sanak, a është e vështirë për familjen … shumë është e vështirë, tepër”, thotë nëna e të ndjerit, derisa kërkon që fajtorët të marrin dënimin e merituar.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë po vazhdon hetimet ndaj pronarit të pompës “Delta Group”, Vesel Jusajt.