Mbyllet ambasada e SHBA-së në Ukrainë, ka marrë informata për një sulm të mundshëm
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev ka bërë të ditur se do të mbyllet sot pasi mori “informacion specifik për një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror”.
Ambasada u tha punonjësve të saj të strehoheshin në vend, ndërsa këshillonte qytetarët amerikanë që të përgatiteshin të strehohen menjëherë në rast se shpallet një alarm ajror, sipas një këshillimi të lëshuar në faqen e saj të internetit.
“Për shkak të kujdesit të madh, ambasada do të jetë e mbyllur dhe punëtorët e ambasadës po udhëzohen që të qëndrojnë të strehuar në vend” – thuhet në deklaratën e Departamentit për Çështje Konsullore Shtetërore të ShBA-së.
Sirenat e sulmit ajror u aktivizuan në Kiev disa herë gjatë natës dhe për rreth 2.5 orë mëngjesin e sotëm. Zhurmat e dronëve dhe mbrojtjes ajrore të aktivizuar janë dëgjuar në të gjithë kryeqytetin, duke përfshirë qendrën e qytetit, sipas një ekipi të CNN në Kiev.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi Ukraina përdori raketa amerikane të sistemit ATACMS për të sulmuar territor rus, duke e shfrytëzuar lejen e dhënë rishtazi nga presidenti amerikan në largim, në ditën e njëmijtë të luftës.