LAJME

Synimi ynë si MASHT është të krijojmë kushtet e duhura që fëmijët në shkolla të kenë infrastrukturë cilësore – Albnews

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një reagim të saj publik thotë se sot e shënuan me shumë aktivitete Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Siç përmend ajo, pikërisht më 20 nëntorin e një viti më parë, si Ministri e Arsimit, shpallën Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës.

‘’Fëmijët janë ardhmëria jonë, janë ëndrrat që aspirojmë t’i realizojmë si shoqëri.20 nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve e shënuam me një numër të madh aktivitetesh, duke ditur rëndësinë e kujdesit që i duhet kushtuar fëmijëve. Në takimin ndërministror për të drejtat e fëmijëve theksova se po në këtë datë, një vit më parë si Ministri e Arsimit shpallëm Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, një dokument i mbështetur në Konventë, në Kushtetutën tonë, në ligjet tona, si dhe në praktikat e standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijës’’, ka shkruar Nagavci.

Nagavci shton se MASHT synon që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit 21.

”Në konferencën e organizuar nga UNICEF dhe BE në kuadër të projektit “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë” theksova se synimi ynë si MASHT është të krijojmë kushtet e duhura që fëmijët në shkolla të kenë infrastrukturë cilësore, të dinë të mbrohen nga dukuritë dhe shprehitë e rrezikshme, të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit XXI’’././