LAJME

Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë për legjitimim të diskriminimit të shqiptarëve



Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Serbinë se po legjitimon, siç tha ai, praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

Përmes një postimi në X, Bislimi reagoi ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë që ia refuzoi ankesën qytetarit nga Medvegja, Safet Demiri, për kthimin e adresës së banimit.

“[Vendimi i Gjykatës Kushtetuese serbe] shkel të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk kanë besim në sistem dhe hezitojnë të iniciojnë procedura gjyqësore”, tha Bislimi.

Ai publikoi disa pjesë të vendimit të gjykatës serbe, që thonë se Demiri nuk planifikon të jetojë në mënyrë të përhershme në adresën e paraqitur të banimit.

Aty po ashtu thuhet se të drejtat e lëvizjes dhe banimit, ndonëse janë të garantuara me Kushtetutë, ato “nuk janë absolute”, duke iu referuar neneve të ligjeve serbe që lejojnë mundësinë që këto të drejta të kufizohen.

Sipas Bislimit, ky arsyetim i vendimit tregon “se si të drejtat e shqiptarëve po gërryhen, përmes interpretimeve të padrejta dhe diskriminuese, që tregojnë për mungesë të demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”.

Më herët gjatë 20 nëntorit, edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar për këtë vendim të Kushtetueses serbe.

Sinani tha se gjykata më e lartë serbe po “legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës”.