KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më 21 nëntor një grup policësh të Kosovës të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në territorin e komunës së Leposaviqit.
KFOR-i tha se situata përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e qetë dhe se po vazhdojnë të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha KFOR-i.
Në fund të përgjigjes së tij, KFOR-i tha se për këtë çështje specifike, pra nëse Policia e Kosovës ka kaluar ose jo vijën kufitare, “drejtojuni autoriteteve serbe për komente të tjera”.
Pas kësaj, REL i është drejtuar sërish KFOR-it për të specifikuar se përse vetëm autoritetet serbe janë kompetente të japin përgjigje për këtë çështje, por REL-i nuk ka marrë ende përgjigje.
Policia e Kosovës të enjten, më 21 nëntor, i cilësoi si të pavërteta pretendimet e Serbisë se policët e Kosovës kaluan në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë.
“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformatë që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.
Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen” dhe shtoi se Ushtria e Serbisë po ndjek situatën në terren dhe është e gatshme të reagojë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës.