Udhëzuesi mundëson zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe të balancuar – Albnews
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mori pjesë ceremoninë e lansimit të udhëzuesit për matjen e dënimit nga Gjykata Supreme, ku gjatë fjalës së tij theksoi se miratimi i udhëzuesit për matjen e dënimit është një nga hapat me të rëndësishëm që sistemi i drejtësisë mund të bëjë në harmonizimin e praktikave në matjen e dënimit, njoftojnë nga ZKPSH.
Tutje bëhet e ditur se për këtë qëllim edhe Kryeprokurori i Shtetit ka lëshuar një udhëzim të detyrueshëm, i cili e qartëson rolin dhe kontributin e Prokurorit të Shtetit në matjen e dënimit.
“U.D. kryeprokurori Kelmendi potencoi se një obligim i tillë tanimë është formalizuar edhe më shumë me ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit prokurorit i jepet mundësia të propozojë edhe lartësinë e dënimit, andaj njoftoi se në çdo rast kur ka takime me kryeprokurorë dhe prokurorë, u bënë thirrje atyre që këtë udhëzues ta konsiderojnë si mjet me shumë vlerë për punën e tyre”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se Kelmendi pohoi që ky udhëzues mundëson zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, sepse çdo veprim i Prokurorit të Shtetit duhet të jetë në përputhje me parimet e drejtësisë, ligjet në fuqi dhe standardët e këtij udhëzuesi, duke shtuar se kjo nuk është një detyrë e thjeshtë, por është një përgjegjësi e madhe që kërkon përkushtim të pakushtëzuar për secilin.
Në fund të fjalës së tij, Kelmendi falënderoj Gjykatën Supreme, Departamentin e Drejtësisë në Ambasadën Amerikane –OPDAT dhe të gjithë ata që ndihmuan në finalizimin e këtij projekti që u cilësua madhor.