Haradinaj në Ferizaj: Vizioni ynë për një Kosovë fituese, garanci për Kosovën anëtare e NATO-s dhe me paga e pensione të dinjitetshme
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Ferizaj.
Haradinaj ka thënë se Ferizaji gjithmonë ka qenë simbol i ndërmarrësisë, guximit dhe kreativitetit rinor.
“Vizioni i qartë për një Kosovë Fituese, sot zbarkoi në Ferizaj. Qyteti që gjithmonë ka qenë simbol i ndërmarrësisë, guximit dhe kreativitetit rinor, e që gjatë qeverisjes sonë ne e bashkuam përmes njërit prej projekteve tona më të mëdha; sot u bë dëshmitar i një projekti kombëtar që do të transformojë realitetin tonë të përditshëm. Me Xhavit Zariqin, një emër që përfaqëson vlerat më të mira të këtij qyteti dhe një zë të fuqishëm në Kuvend për interesat e Ferizajt, ne do të sigurojmë që zëri i qytetarëve të dëgjohet më fort se kurrë. Përvoja e tij e gjatë në shërbim të qytetarëve dhe përkushtimi i familjes Zariqi ndaj atdheut, janë garanci për përfaqësim dinjitoz të Ferizajt në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se në qeverinë Kurti asnjë projekt i ri strategjik nuk është iniciuar.
“Ferizaj, si një ndër hisedarët më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, meriton vëmendje dhe investime në përputhje me potencialin e tij. Por realiteti nën qeverisjen aktuale është ndryshe – asnjë projekt i ri strategjik nuk është iniciuar, ndërsa projektet vitale si Spitali Rajonal, i projektuar gjatë qeverisjes sonë, kanë mbetur në letër. Kjo qasje diskriminuese ndaj qytetit që gjeneron më së shumti të hyra për arkën e shtetit do të marrë fund”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri për sigurinë e Kosovë.
“Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional është domosdoshmëri strategjike për sigurinë tonë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik. Ndërsa të tjerët hezitojnë, ne kemi plan konkret për forcimin e kapaciteteve tona ushtarake dhe rritjen e kontributit në angazhimin tonë në kuadër të NATO-s, përkrah Amerikës e partnerëve strategjik. Kjo është pjesë thelbësore e vizionit tonë për një Kosovë Fituese, ku siguria kombëtare shkon dorë për dorë me zhvillimin ekonomik, rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve me ngritje pagash e pensionesh, Pakon për Mirëqenien e Familjes e shumë lehtësira të tjera në taksa e subvencione. Për Ferizajin, kjo do të përkthehet në projekte konkrete: përfundimin e Spitalit Rajonal, zgjidhjen përfundimtare të problemit të ujit të pijshëm, ndërtimin e stadiumit modern, dhe rritjen e investimeve kapitale në përputhje me kontributin që ky qytet jep në buxhetin e shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.