Interesante

‘Më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria’! Të martën protesta kombëtare e Berishës, ja kur do të mblidhen demokratët

Të martën e 26 nëntorit, deputetë dhe militantë të Partisë Demokratike do të zhvillojnë protestën e radhës, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha ka kërkuar protestën, si kundër-përgjigje, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e tij për heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, që e ka lënë atë të mbyllur në banesë që prej 30 dhjetorit të vitit 2023.

Protesta do të mbahet në orën 17:00, teksa nuk dihet ende nëse do jetë thjesht grumbullim para kryeministrisë dhe institucioneve të tjera, apo do të ketë bllokime rrugësh, si në rastet e fundit.

“Me datën 26 është protesta tjetër kombëtare, më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria”, u shpreh Berisha, një ditë më parë.

Sali Berisha nuk pajtohet me vendimin e trupës se gjyqtarëve kushtetues, që i dhanë më shumë të drejtë SPAK kur vendosi të anashkalojë Kuvendin për masat e para shtrënguese të marra ndaj tij, atë të detyrimit te paraqitjes dhe ndalimit të daljes jashtë vendit edhe pse këtë të fundit, Kushtetuesja e vlerësoi si jo proporcionale.