Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO hap jetik për paqe të qëndrueshme – Albnews
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar ndihmësasistentin e sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, Alexander Kasanof, në Departamentin e Shtetit.
Haradinaj ka falenderuar administratën amerikane angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës. “Në Departamentin Amerikan të Shtetit, në një takim të hapur, përmbajtësor dhe miqësor, diskutuam zhvillimet politike në Kosovë me z. Alexander Kasanof, ndihmësasistent i sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Falenderova z. Kasanof, administratën amerikane dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për angazhimin dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO. “Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se që nga vitet ’90-të, arritjet e Kosovës janë bërë në partneritet të ngushtë me SHBA-në. “Vlerësova se lidershipi dhe angazhimi amerikan janë të domosdoshme për një marrëveshje strategjike Kosovë-SHBA dhe për përparimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Arritjet e Kosovës, që nga vitet ’90-të, përfshirë luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit, janë bërë në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, ka përfunduar Haradinaj.