A e keni ditur se këto janë produktet që kontrabandohen më së shumti në Kosovë?

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë se kontrabanda është më e theksuar në veri të vendit. Por, kontrabandë ka edhe në pikat e tjera kufitare me Serbinë, në zonën e Merdares dhe të Dheut të Bardhë. Këtu më e shprehur është kontrabanda me gjedhe.

“Në Merdarë ka qenë kryesisht e shprehur kontrabanda e gjedheve, kjo është ndalur dukshëm, pasi kur e krahasojmë importin e gjedheve të gjalla nga Serbia ka rritje tre fish më shumë se përpara”- ka thënë ai.

Sipas tij, problem i ngjashëm është edhe te pika kufitare Dheu i Bardhë, përfshirë edhe artikujt ushqimorë.

“Edhe tek Dheu i Bardhë problemi me gjedhe është i ngjashëm, ka edhe kontrabandë me ushqime të ndryshme atje. Aty është pjesë e banuar me serbë, kryesisht është kontrabandë e shkallës së vogël. Policia Kufitare në atë zonë ka bërë një ‘task force’ për shtypje të këtij aktiviteti. Ka shpesh kontrabandë me pije alkoolike, barna dhe ushqime”- shtoi ai.

Tutje, drejtori i Doganës theksoi se me Maqedoninë e Veriut është më i shprehur problemi me kontrabandë të duhanit.

“Me Maqedoninë e Veriut kemi ende problem me kontrabandën me duhan. Ky problem është adresuar edhe zyrtarisht dhe kemi pasur rezultate. Grupet e përfshira në krim e kanë shfrytëzuar jo vetëm produktin e prodhuar në Maqedoni por edhe atë të ardhur nga Bullgaria pasi Maqedonia e Veriut ka aplikuar një regjim më liberal se ai që zbatojmë ne sa i përket mbikëqyrjes së importeve me duhan”- tha ai.

Sipas tij, me Maqedoninë e Veriut ka edhe kontrabandë me frute të llojit të arrës dhe me tekstil.

Agron Llugaliu shtoi se kontrabanda me duhan është po ashtu problem edhë në pikën kufitare me Shqipërinë.

Derisa, me Malin e Zi gjendja qëndron më mirë sa i përket kontrabandës me duhan.

“Me Malin e Zi gjendja qëndron mirë prej kohës kur kanë ndaluar strehimin e mallit në portin e Barit para pak muajsh, nuk kemi problem me kontrabandë me duhan”- shtoi ai.

“Me Malin e Zi gjendja qëndron mirë prej kohës kur kanë ndaluar strehimin e mallit në portin e Barit para pak muajsh, nuk kemi problem me kontrabandë me duhan”- shtoi ai.