Deklarata e Kurtit për sistemin e drejtësisë, reagojnë nga kryeprokuroria – Albnews
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) detyrohen që edhe një herë të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht ndaj deklaratës së Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili dje nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.
Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit. Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial.