Dumani: Krimi i organizuar pastron paratë në pasuritë e paluajtshme, hoteleri dhe ndërtim!
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur për ndikimin e të ardhurave kriminale dhe pastrimin e parave në ekonominë shqiptare, duke theksuar praninë e krimit të organizuar shqiptar në këtë fushë.
Një një intervistë për mediat, Dumani theksoi se është bërë një analizë e detajuar mbi fuqinë financiare të grupeve kriminale dhe fushat ku ato investojnë. Sipas tij, pasuritë e paluajtshme, hoteleritë dhe ndërtimi janë fushat ku krimi investon më tepër.
“Ne kemi bërë një analizë për grupet kriminale të organizuara për fuqinë e tyre financiare. Fusha më e preferuar është investimi në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, hoteleri etj. Kemi sekuestruar 6 milionë euro kesh gjatë këtij viti,” tha kreu i SPAK.
Më tej, Dumani u ndal te përhapja e krimit të organizuar shqiptar, që sipas tij, ka depërtuar jo vetëm në Evropë, por edhe deri në Amerikën Latine. Ai vuri thekson te rezultatet e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me autoritetet italiane, ndërsa paralajmëroi për goditje të tjera kundër krimit.
“Krimi i organizuar shqiptar është i orientuar kryesisht drejt trafikimit të drogave të forta. Nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende në Evropë, deri në Amerikën Latine. Kemi shtuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim me Italinë, kemi grupe të përbashkëta hetimore. I kemi dhënë goditje të mëdha krimit të organizuar. Kemi shumë punë për të bërë dhe ka nevojë për intensifikim dhe duke pasur parasysh këtë nivel bashkëpunimi besoj se do të ketë goditje të tjera,” deklaroi Dumani.