Ekspertja e IML-së deklarohet rreth raportit të ekzaminimit toksikologjik, në gjykimin ndaj mjekëve për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar ekspertja e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Flutura Goga-Bajrami, në rastin ku mjekët Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Ekspertja e IML, udhëheqëse e laboratorit të Toksikologjisë, ka deklaruar se kryen analiza toksikologjike të cilat çdo herë bëhen me kërkesë të mjekut ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”
Në pyetjen e prokurores Ardiana Veseli lidhur me praninë e propofolit dhe fentanilit në trupin e tashmë të ndjerës T.H, ekspertja ka deklaruar se në gamën e analizave që ata realizojnë barin propofol nuk e analizojnë ndërkaq fentanili është analizuar por i njejti nuk është detektuar si pozitiv.
Ajo shtoi se në rastin në fjalë mjeku ligjor ka kërkuar kryerjen e analizave për alkool, barna dhe drogëra dhe se në secilin rast analizat bëhen aq sa kërkohen nga ana e mjekëve ligjor.
Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Beqiri, rreth licencës së saj dhe se a është në përputhje me Ligjin për Shëndetësinë, ekspertja Goga-Bajrami deklaroi se pozita e saj si inxhiniere e kimisë nuk i nënshtrohet Ligjit të Shëndetësisë por atij të Mjekësisë Ligjore.
Sipas të njëjtës, çdo rast në laboratorin toksikologjik, përfshirë edhe rastin në fjalë trajtohet në mënyrë të njëjtë.
Kështu, sipas saj mostrat pranohen, përgatiten për analizë varësisht nga kërkesa e mjekut dhe kryhet analiza sipas kërkesës, duke pohuar se gjaku është mostra kryesore e pastaj mostra e urinës.
E njëjta ka pohuar se rastet nuk punohen veç e veç por të njëjtat grumbullohen dhe pastaj ekzaminohen.
“Na nuk i punojmë rastet një nga një, por rastet grumbullohen dhe punohen si me thënë njëzet raste bashkë, tridhjetë raste, dhjetë raste, pesë raste, na nuk i punojmë rastet veç e veç sepse ka kosto, njejtë ka ndodh edhe me rastin”, ka thënë Goga-Bajrami.
Për mostrat e marra nga salla e autopsisë, ekspertja ka deklaruar se të njëjtat ruhen në laboratorin e toksikologjisë në frize, në temperatura që vardojnë nga -14 deri në -20 gradë celsius.
Mbrojtësi i të akuzuarit Alban Gjonbalaj , avokati Salih Gjonbalaj ka pyetur eksperten se a është i mundur ndonjë ndryshim apo degjenerim i çfarëdoshëm i mostrave të gjakut dhe urinës nëse të njëjtat ruhen sipas standardeve.
Për pyetjen e lartpërmendur, ekspertja ka mohuar që të jetë e mundur të ndodhë ndonjë ndryshim.
Vlen të përmendet se përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Beqiri ka propozuar dëgjimin edhe të një eksperti tjetër të IMl-së, propozim ky që është aprovuar nga ana e gjykatës.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kanë zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H.
Në aktakuzë thuhet se më 4 tetor 2020, gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten, tani të ndjerën T.H., i pandehuri Arben Kutllovci është dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 4 tetor 2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj. Mirëpo, paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit shëndetësor.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 4 tetor 2020, rreth orës 9:15 në ambientin e Klinikës “CT SCANER” (Institucion Privat Shëndetësor), me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë joprofesionale gjendjen e pacientes tani të ndjerës T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.
Aty thuhet se ekzaminimi i të ndjerës është bërë pa udhëzime mjekësore si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në vend të mjekut ka qenë prezent Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.
Sipas aktakuzës, si pasojë e mostrajtimit të duhur nga specialistët përkatës, ku i pandehuri Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes, ku pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë, kështu duke iu përkeqësuar gjendja gjatë procedurës së “MRI”. Dhe pas përkeqësimit përkundër të ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencën e QKUK-së, pacientja kishte ndërruar jetë.
Për këto veprime të kryer nga secili veç e veç, të lartcekurit ngarkohen për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254 par. 8 lidhur me par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.