Eksploziv biznesit dhe banesës në Shkodër, arrestohet një grua, shpallet në kërkim vëllai i saj
Policia e Shkodrës njofton se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 10.11.2024, në banesën e shtetasit A. F., ku u vu një sasi lënde plasëse.
‘Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i dy rasteve të vënies së lëndës plasëse në biznesin dhe në banesën e shtetasit A. F. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi B. P., 35 vjeç.
Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen L. P., për marrjen e një shume parash nga shtetasi A. F., me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetases L. P.(R)., 38 vjeçe, banuese në Shkodër. Gjatë kontrollit në subjektin që administronte (parukeri), shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. P., me precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura dhe kanë sekuestruar: 1 ar:më zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e Policisë, 1 laptop, 1DVR dhe 11 celularë. Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, si dhe për shtetasen L. P.(R)., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe ”Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, informon policia.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.