Historia frymëzuese e dy prindërve që luftuan për jetën e vajzës së tyre me leuçemi
Në studion e “Për Shqiptarët” u përjetuan emocione të forta me një histori frymëzuese.
Një histori që ka në qendër dy prindër, të cilët nuk u dorëzuan kurrë për të shpëtuar jetën e vajzës së tyre.
Shpresa dhe Emini janë bashkë prej 23 vitesh. Të njohur në shkollë në moshë shumë të re, 18 dhe 19 vjeç, ata janë martuar e kanë krijuar një familje të madhe. Janë prindër të 5 fëmijëve, Jasmina 22 vjeç, Ditori 18, Diona 16, Dioni 12 dhe Kida 6 vjeç.
Vajza e tyre e madhe Jasmina ka qenë nxënëse shumë e rregullt, me sjellje dhe nota shumë të mira. E ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme me sukses dhe është regjistruar në dy fakultete, për mjekësi dhe stomatologji.
Ka qenë gjithmonë e shëndetshme dhe kurrë nuk i është dashur të shkojë në spital. Rrallë herë e kapnin virozat e stinës.
Por, në fundin e vitit 2022, një javë para ditëlindjes Jasmina nisi të ndjente dhimbje shpine, plogështi dhe lodhje. Prindërit menduan se ishte një virozë e thjeshtë, por me kalimin e ditëve dhimbjet u shpeshtuan dhe ata nuk humbën më shumë kohë për ta dërguar në spital. Që nga ky moment për ta nuk pati asnjë ditë qetësi.
Kanë nisur analiza të njëpasnjëshme sepse doktorët nuk kuptonin se çfarë problemi kishte, ndërkohë që dhimbjet vazhdonin të ishin shumë të mëdha. Shkonin nga një spital në tjetrin, nga një pavion në tjetrin dhe Emini me Shpresën ende vazhdonin të mbeteshin pa një përgjigje. Analizat ishin me parametra jashtë normales dhe vetëm pas një kontrolli në Shkup, zbuluan se Jasmina kishte leuçemi akute të shkallës së rëndë. Për Eminin dhe Shpresën ishte lajm që i shokoi. Jasmina bënte shpesh ushtrime fizike dhe kujdesej për veten, s’kishte pasur kurrë asnjë shqetësim, e papritur kishte një sëmundje që i rrezikonte jetën.