Hoxhaj: Qeveria Kurti s’do marrëveshje me mësimdhënësit, do nënshtrim

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria Kurti nuk do marrëveshje me mësimdhënësit për t’i dhënë fund grevës në arsim, por do nënshtrimin e tyre.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ish-ministri i arsimit Enver Hoxhaj ka thënë se sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor.

“Një humbje e madhe me pasoja shumëdimesionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve! Dhe krejt kjo për një arsye të vetme: mungesën e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit! Është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj shkroi se PDK ftoi debat parlamentar për të rikthyer nxënësit në mësim dhe për ndërprerjen e grevës, duke mbështetur një zgjidhje e cila është kalimtare, sipas tij.

“Me kokëfortësinë e tyre, Qeveria dhe Kryeministri Kurti nuk po ofrojnë një zgjidhje kalimtare, sepse, jo pse ndjekin një politikë të kursimit, por sepse kanë një politikë të nënshtrimit! Problemi me grevën nuk është çështje e kopracisë financiare, por e mendësisë autoritare. Një mendësi e tillë nuk e sheh dialgun me SBASHK-un si platformë për zgjidhje politike. Ajo nuk i beson kompromisit si mënyrë për të zgjidhur problemet në demokraci, por i beson politikës së nënshtrimit.”, ka shkruar Hoxhaj.

Ky është shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:

Greva dhe tejkalimi i inatit e mllefit!

Sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor! Deri më sot janë humbur mbi 2.100.000 orë pune për mësimdhënësit e orë mësimi për nxënës.

Një humbje e madhe me pasoja shumëdimesionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve! Dhe krejt kjo për një arsye të vetme: mungesën e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit! Është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut!

PDK ftoi debat parlamentar për të rikthyer nxënësit në mësim dhe për ndërprerjen e grevës, duke mbështetur një zgjidhje e cila është kalimtare! Ajo do të kushtonte më pak se 3 milionë euro në muaj për të gjithë mësimdhënësit, duke ofruar një rritje shtesë në përputhje me rritjen e inflacionit! Për të gjithë ata që janë në administratë zgjidhja do të kushtonte afërsisht 23 milionë euro. Ligji për Pagat është zgjidhja afatgjatë, e jo zgjidhja kalimtare! Por, rezoluta jonë dhe zgjidhja e sygjeruar nuk u pranua nga shumica në Kuvend. Jo për shkak të fuqisë së argumentit, por si refleks i nevojës për të nxjerrë jashtë inatin, të cilin e kanë brenda!