LAJME

Jashari dhe homologia e tij kanadeze flasin për shkëmbimin e kadetëve – Albnews

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka zhvilluar takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë, Jennie Carignan.

Sipas në njoftimi nga FSK-ja, Jashari shprehu mirënjohjen e tij për homologen kanadeze, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të Kanadasë që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë deri më sot. Ai gjithashtu e informoi atë mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke theksuar zhvillimet dhe arritjet e FSK-së. Pjesë e diskutimeve ishin edhe kontributi i FSK-së në trajnimin e grupeve ukrainase dhe objektivat strategjike për integrimin e Kosovës në NATO në të ardhmen.

“Më pas, të dy Shefat e Mbrojtjes zhvilluan një diskutim të detajuar mbi fushat me interes të përbashkët për bashkëpunim bilateral. Ata biseduan për finalizimin e bashkëpunimit reciprok në disa aspekte kryesore, duke përfshirë shkëmbimin e kadetëve, arsimin ushtarak, trajnimet specialistike, stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet kolektive”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas FSK-së, Jashari dhe Carignan theksuan se fitorja e Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë është një detyrë dhe përgjegjësi kolektive për të gjitha shtetet demokratike. Ata ranë dakord se kjo luftë ka një ndikim të pashmangshëm edhe në rajonin tonë, duke shtuar rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes ndërkombëtare.

“Një pikë e veçantë e diskutimit ishte rëndësia e arritjes së marrëveshjes për shkëmbimin e kadetëve mes Qendrës për Studime Universitare të FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror “Saint-Jean” të Kanadasë. Ky shkëmbim u vlerësua si një hap i rëndësishëm për zhvillimin profesional dhe për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Në fund të takimit, të dy gjeneralët u pajtuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe identifikimin e fushave konkrete për aktivitete bilaterale me interes të ndërsjellë”.