Kurti sot në Bruksel, do të takojë shefen e diplomacisë evropiane
Katër ditë pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të jenë gjatë ditës së sotme në Bruksel. Kjo vizitë e tyre në Bruksel vjen me ftesë të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, si dhe Presidentit të ri Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurti në takim me Kallas në Bruksel e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
Ky takim do të jetë i pari me Kaja Kallas, që pas marrjes së detyrës së re, por që sipas zëdhënëses së BE-së s’do të jetë në kuadër të dialogut.
Ky nuk është një takim i lidhur si i tillë në kuadër të dialogut në vetvete”, tha Anitta Hipper.
Po të njëjtën ditë, pasditen e së martës, edhe presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do t’i takojë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të BE-s, Presidenti i KE-së, Antonio Costa fillimisht do të pres në takim kreun e qeverisë shqiptare, Edi Ramën me fillim nga ora 17:00. Ndërsa nga ora 18:30 ai do të pres për takim Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ani pse në agjendën nuk figuron takimi me Presidentin serb, përmes një konference për media, Aleksndar Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Bruksel me Presidentin e KE-së.
Pas këtyre takimeve, bëhet e ditur se do të zhvillohet edhe fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit Përëndimor me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.