Menendez për të dytën ditë radhazi: Të mos ushtrojmë trysni të padrejtë ndaj Kosovës
E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi ishte në qendër të një seance dëgjimore për Ballkanin Perëndimor të mbajtur të enjten në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë në Senat të Shteteve të Bashkuara.
Në raportimet e tyre, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar folën mbi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas seancës, kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Senatori Bob Menendez tha se nuk duhet të ushtrohet padrejtësisht trysni ndaj Kosovës, ndërsa shprehu shqetësimin se Asociacioni mund të krijojë paqëndrueshmëri.
Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senat, Bob Menendez, thotë se thelbi i qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor është një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.
Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai thotë se kjo marrëveshje duhet të jetë e drejtë për të dyja palët.
“Duket qartë se kemi shumë punë për të bërë. Ne jemi të shqetësuar. Kjo është një pjesë e rëndësishme e botës dhe Evropës. Historia na tregon se atje konfliktet mund të ndizen me shpejtësi. Është e rëndësishme të bëjmë atë që duhet dhe të sigurohemi që të mos ushtrojmë padrejtësisht trysni ndaj vendeve si Kosova, për shkak të dëshirës tonë për të parë një zgjidhje përfundimtare. Duhet të jetë një zgjidhje e drejtë”, thotë Senatori.
Duke iu referuar ndikimit në Bosnje dhe Hercegovinë të së ashtuquajturës “Republika Serbe”, zoti Menendez kritikoi trysninë e shtuar ndaj Kosovës për krjimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithë shqetësimin që ai mund të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit.
“Jam i shqetësuar për disa nga propozimet, siç është asociacioni i komunave serbe dhe gjasat që kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri, në vend të qëndrueshmërisë. E kemi parë në të kalurën në vende të tjera. Nëse ato nuk strukturohen siç duhet, mund të krijojnë paqëndrueshmëri”, thotë zoti Menendez për Zërin e Amerikës.
Ai i bëri këto komente pas seancës dëgjimore për Ballkanin Perëndimor të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.
Në këtë seancë, raportoi Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.