LAJME

Nagavci: MASHT synon që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit XXI



Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një reagim të saj publik thotë se sot e shënuan me shumë aktivitete Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Siç përmend ajo, pikërisht më 20 nëntorin e një viti më parë, si Ministri e Arsimit, shpallën Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës.

Derisa sot, shënuan edhe fillimin e Javës kundër braktisjes së shkollës.

”Fëmijët janë ardhmëria jonë, janë ëndrrat që aspirojmë t’i realizojmë si shoqëri.

20 nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve e shënuam me një numër të madh aktivitetesh, duke ditur rëndësinë e kujdesit që i duhet kushtuar fëmijëve.

Në takimin ndërministror për të drejtat e fëmijëve theksova se po në këtë datë, një vit më parë si Ministri e Arsimit shpallëm Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, një dokument i mbështetur në Konventë, në Kushtetutën tonë, në ligjet tona, si dhe në praktikat e standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijës.

Po sot, shënuam fillimin e ‘Javës kundër braktisjes së shkollës’. Me këtë rast, në nivel qendror dhe komunal po zhvillohen një varg aktivitetesh kushtuar arsimimit cilësor dhe të qëndrueshëm, për të zhvilluar potencialin e plotë të fëmijës drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë”.

Tutje ministrja Nagavci shton se në konferencën e sotme, theksoi synimet e MASHT-it, që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit 21.