LAJME

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri



Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s, i njohur si NALT, i përbërë nga ushtarakë të lartë gjermanë, që këshillojnë nga viti 2016 Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kanë publikuar në revistën ushtarake gjermane “DIFENCENETWORK”, një artikull profesional ku pasqyrojnë sfidat aktuale me të cilat FSK po përballet në rrugën e transformimit të saj në ushtri, me mbështetjen e SHBA-së dhe Gjermanisë.

Artikulli është shkruar nga drejtori i Ekipit Këshillues dhe i Lidhjes me NATO-n, gjeneral brigade Christian Nawrat, nënkolonelja  Anja Volbeding, asistente ushtarake e Drejtorit të NALT-iot dhe togeri i parë  Nick T. Esser, ndihmës personal  (aide-de-camp) i Drejtorit të NALT-it.

Fillimisht, në artikullin profesional sqarohet puna dhe struktura e NALT-it në Kosovë, ku mes tjerash theksohet se “janë bërë një çerek shekulli, që misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO, ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë. Krahas mbrojtjes së paqes, Ekipi Këshillues dhe i Lidhjes me NATO-n, i njohur shkurt si “NALT”,  kryen punë të shumë rëndësishme ndihmëse, duke filluar nga këshillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) deri tek mbështetja që jep për Ministrinë e Mbrojtjes. “Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s – NALT”, i cili, ndryshe nga KFOR, nuk është nën Komandën e Forcave të NATO-s në Napoli të Italisë dhe as nën komandën e Shtabit të Lartë të Fuqive Aleate të Evropës (SHAPE) në Mons, por nën autoritetin e drejtpërdrejtë të stafit ndërkombëtar në Bruksel dhe mban lidhjen direkte midis organizmave vendimmarrëse te NATO-s atje dhe institucioneve në Kosovë”, theksohet mes tjerash në sqarimin për rolin e NALT.

“Pikërëndesa e këtij mekanizmi është forcimi i kontrollit civil mbi Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe këshillimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s – NALT, ofron këshillim komplementar për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe FSK-së në të gjitha fushat, nga menaxhimi i personelit dhe logjistika e deri tek çështjet e standardizimit dhe krijimi i ligjeve dhe rregulloreve”, shkruan në artikull.

Radio Kosova ka shkëputur më poshtë, pjesë të artikullit ku vihen në spikamë sfidat me të cilat FSK po përballet në rrugën e saj për t’u transformuar në ushtri sipas standardeve të NATO-s deri në vitin 2029.

FSK-ja përballë sfidave

Edhe pse jo me miratimin e NATO-s, transformimi i FSK-së drejt forcave mbrojtëse territoriale, ka nisur që nga viti 2018 dhe kjo përmes partneritetit më të madh dypalësh Kosovë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Plani i Gjerë i Kalimit (CTP), i cili do të vijojë deri në vitin 2029, ka për qëllim rritjen e FSK-së nga rreth 2.500 persona të shërbimit të mbrojtjes civile, në një forcë prej 5.000 ushtarësh të rregullt dhe 3.000 rezervë, duke përfshirë tre regjimente të lehta të infanterisë me mbështetje zjarri.