LAJME

Paraqiten 11 raste të reja të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës – Albnews

Vetëm gjatë muajit të fundit në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës janë paraqitur 11 raste të reja të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Këtë e bëri të ditur drejtoresha e kësaj qendre Feride Rushiti në RTK.

Tutje Rushiti ka treguar se që nga momentit kur ka filluar Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës kanë aplikuar rreth 2150 veta, numër ky sipas saj që flet ende për stigmën prezente, qoftë në familje, qoftë në komunitet për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

“Institucionet  e vendit duhet të punojnë më shumë në vetëdijesim familjar dhe në përkrahje familjare pasi ka shumë gra e burra që ende në heshtje  vuajnë, i bartin pasojat e luftës, por nuk e kanë guximin nga mënyra se si mund të paragjykohen”, tha ajo.

Rushiti tha se aplikimi si proces i ri për Kosovën i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë sfidat e veta.

“Fillimisht ka qenë një numër i madh i grave dhe burrave që kanë qenë të përgatitur për vite të tëra pasi aplikimi ka filluar në shkurt 2018 rreth, 20 vjet pas luftës, dhe ka pasur numër të madh, dhe kjo ka paraqitur vështirësi për Komisionin Qeveritar për t’i shqyrtuar këto aplikacione në kohë dhe ka pasur vonesa të caktuara. Edhe kohëve të fundit kemi disa vonesa”, tregoi ajo.

“Gratë dhe burrat e kanë të vështirë. Nuk është e lehtë që 25 vjet me radhë të mbash një sekret në vetvete e pastaj të shkosh pranë komisionit të flasësh e t’i rikujtosh ngjarjet traumatike dhe kjo nganjëherë perceptohet si traumatizim për të mbijetuarit e dhunë seksuale të luftës edhe pse bashkë me ta janë edhe psikologët, por që nganjëherë kjo paraqet vështirësi  të ballafaqohen me trupën e komisionit që i merr në shqyrtim rastet e që edhe njëherë ta ndajnë historinë traumatike”, tha ajo.

Rushiti në “Info Plus” se shpreson që raporti i Avokatit të Popullit të ketë edhe veprime tutje e të mos mbetet vetëm si një raport, sipas saj siç mbetet zakonisht në Kosovë.

“Të shtyhen më tutje këto rekomandime. Është koha të reflektohet njëherë mirë e mbarë dhe të shihet se çfarë mund të bëhet që procesi të jetë më i lehtë për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

Rushiti tha se secila e mbijetuar është rast unik e që stigma, paragjykimi e frika mos po zbulohen ka mbizotëruar te secila.