LAJME

Partitë politike ende s’i kanë dërguar listat e kandidatëve për deputetë, afati është deri më 11 dhjetor



Më 1 qershor ka filluar afati për subjektet politike që të dorëzojnë kërkesat për certifikim dhe listat e kandidatëve për deputetë. Një gjë të tillë nuk e ka bërë akoma asnjë parti.

Kështu tha për Gazetën Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike.”, tha ai.

Elezi shtoi se KQZ do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të verifikojë kandidatët për deputetë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, tha Elezi .