LAJME

Prezenca e institucioneve të Kosovës e lartë në veri, Kusari-Lila nuk mohon përpjekjet e Serbisë për tensione të tjera – Albnews

13:13 / E Shtunë, 23 Nëntor 2024 / A. M.

Ditë më parë, në Mitrovicën e Veriut janë shfaqur posterë të ndryshëm me ngjyrat e flamurit serb, si dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Krishtlindje”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se përpjekjet e Serbisë për tensione në veriun e Kosovës janë të paevitueshme për shkak të qasjes së njëjtë që mban ky vend fqinj ndaj Kosovës.

“Është e pa evitueshme sepse do të ketë përpjekje për tensione, por gjithashtu është fakt që të ketë efektin e dikurshëm përpjeka për tensione. Për shkak se tashmë rendi dhe ligji dhe prezenca e institucioneve është në nivel krejtësisht tjetër, natyrisht edhe largimi i të gjithë atyre që kanë qenë qoftë bartës apo urdhërues të organizimit të situatave ku krijohet tensionet është krejtësisht ndryshe”, ka thënë ajo.

Edhe pse sipas Kusari-Lilës qasja e Serbisë që nga çlirimi i Kosovës nuk ka ndryshuar, ajo deklaroi se rrethanat në terren nuk janë të njëjta.

Sipas saj, tashmë në vendin tonë ekziston rendi dhe ligji dhe prezenca e institucioneve është në nivel të lartë.

“Me Serbinë si shtetin fqinjë verior dhe me qasjen që e ka të pandryshuar që nga çlirimi i Kosovës, dhe me përpjeke destruktive që nga shpallja e pavarësisë në vazhdimësi çdo gjë është e mundur. Por, rrethanat në terren dhe në katër komunat në Veri janë krejtësisht ndryshe. Institucionet janë të përgatitura për tu ballafaquar me çfarëdo rrethane shpresoj të mos ketë, jo vetëm për shkak të rendit dhe sigurisë, por ka nevojë për normalitet më shumë se për çka do tjetër, ka nevojë për një periudhë kohore në të cilën kemi integrim të plotë kemi kthim në atë se çka është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët atje, pa dallim etnie, normaliteti, punësimi ofrimi i shërbimeve të mirëfillta. Natyrisht integrimi i plotë i fjalës në një shtet që quhet Republika e Kosovës, pa asnjë diferencë të territorit ose pjesët tjera të vendit tonë”, ka shtuar Kusari-Lila për Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka potencuar se viteve të fundit ka pasur tensione të larta si asnjëherë më parë, që sipas saj, kanë qenë të nxitura dhe të sponsorizuar nga Serbia.

“Nuk e besoj që ka pasur tensione sesa viteve të kaluara, natyrisht përpjeka për ndryshim ka dërguar në një reagim tjetër, por gjithashtu reagimet të cilat kanë ardhur nuk kanë qenë reagime të qytetarëve të veriut, por kanë qenë nxitje të sponsorizuar të shtyra nga Serbia, prandaj përpjekjet e Serbisë janë shtyrë për destabilizim në Kosovë. Në momentin që ka parë që rrethanat në veri po ndryshojnë, gjithashtu që nuk e kanë mundësinë e trajtimit të veriut të vendit si territor ndryshe. Nuk e shohim reagim të qytetarëve, të gjithë qytetarët pa dallim duan qetësi dhe prosperitet, natyrisht që institucionet e Kosovës janë për qetësi prosperitet dhe integrim të plotë”, theksoi ajo.

Në disa prej komunave të veriut të Kosovës janë vendosur posterë me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimet “Ja ku jemi për Krishtlindje”.