Raportohet se Ministria e Faton Pecit ia ka pezulluar grantin dajës së deputetes Fitore Pacolli
Ministria e Bujqësisë, që drejtohet nga ministri Faton Peci, konkretisht Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë, ka marrë vendim më 22 nëntor (e premte) për t’a pezulluar procedurën e grantit që daja i deputetes Fitore Pacolli, Sylejman Islami, e kishte fituar nga shteti.
Ky pezullim ka ardhur pas denoncimit që fillimisht është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe raportimet e shumta në media që janë bërë ditëve të fundit, meqë ministria që drejton Peci i ka dhënë grant edhe vëllait të deputetes Fitore Pacolli.
Në arsyetimin për vendimin e marrë, thuhet se kjo vjen pas raportimeve të mediave në lidhje me parregullsi në dhënien e këtij granti.
“Pas aplikimit dhe procedimit administrative të aplikacionit së bashku me dokumentet përcjellëse të dorëzuar nga ana juaj për përkrahje sipas Programit për Zhvillim Rural, AZHB gjatë vlerësimit dhe procedimit të lëndës është njoftuar nga mediat lidhur me pretendimet e tyre për parregullsi, si rezultat i këtyre pretendimeve ka ndërmarrë hapa ligjor për verifikimin e këtyre pretendimeve, të cilat në procedurën administrative është një çështje juridike e pavarur, zgjidhja e së cilës është nën juridiksionin e organeve të tjera dhe është parakusht për zgjidhjen e çështjes kryesore e inciiuar në procedurë administrative.” – thuhet në vendimin e siguruar nga Nacionale.