Rikthehet Berisha pas një 11 muajsh mungesë – Albnews
Sot, Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë buxhetin për vitin 2025, pas përfundimit të shqyrtimeve në komisionet parlamentare.
Seanca përfshin miratimin nen për nen dhe në tërësi të buxhetit, i cili kap shifrën prej 8.2 miliardë eurosh.
Një nga ngjarjet kryesore të ditës është rikthimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në kuvend, pas një mungese gati njëvjeçare për shkak të arrestit shtëpiak.
Berisha ka kritikuar buxhetin, duke e cilësuar atë si një “draft vjedhjesh të mëdha”, njofton A2CNN-i.
Partia Demokratike ka paraqitur 34 amendamente për buxhetin, ku dy mbajnë firmën e Berishës.
Ndër propozimet kryesore janë caktimi i minimumit jetik në 200 euro, rritja e pensioneve dhe shtimi i fondeve për Onkologjikun.
Ndërkohë, Partia e Lirisë ka depozituar 11 amendamente që kërkojnë shtesa prej rreth 45 miliardë lekësh, duke përfshirë rritje pensionesh, pagash dhe ndihmë ekonomike.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u ka bërë thirrje deputetëve të partisë së tij të jenë aktivë dhe të vëmendshëm, veçanërisht ndaj amendamenteve të propozuara nga opozita.
Buxheti 2025 u miratua në parim më 19 dhjetor me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim, mes debatesh dhe protestash të opozitës.