Sillet para gjykatës i dyshuari tjetër për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është sjellë i dyshuari J.V., i cili është arrestuar të dielën (1 dhjetor) nën dyshimin për rastin e sulmit në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.
Pas pak pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
Ndryshe, të hënën (2 dhjetor), Prokuroria Speciale bëri të ditur se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, ishin shoqëruar në Polici 10 të dyshuar. Prej tyre, D.V., dhe D.M., u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt.
Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe J.V., të cilit i janë sekuestruar ar:më e pajisje tjera në shtëpi.
Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia. Sulmin e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët.
Lidhur me këtë rast gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar ar:më, municion, e pajisje tjera. /BetimipërDrejtësi