Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Madhe
Irlanda, Britania e Madhe dhe Franca u përballën sot me nje kaos udhëtimesh – ndërsa një person ka vdekur për shkak të stuhisë – që goditi Evropën veriperëndimore me erëra të forta, shira të dendura, borë dhe akull.
Policia e Hampshire në Anglinë jugore tha se një person kishte vdekur – pasi një pemë kishte rënë mbi një makinë në një rrugë kryesore pranë Winchester sot në mëngjes.
Stuhia “Bert” shkaktoi ndërprejen e energjisë për të paktën 60 000 prona në Irlandë – si dhe mbylljen e rrugëve të trageteve dhe trenave në të dy anët e Detit Irlandez.
Portet dhe aeroportet e La Manshit në Britaninë e Madhe ishin vendet më të goditura nga stuhia, ndërsa në Francë, dhjetëra mijëra banesa mbetën pa energji elektrike pas stuhisë “Caetano” të enjten.
Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar kur trenat u ndaluan nga ndërprerjet e energjisë elektrike.
Pamjet treguan përmbytje në perëndim të Irlandës, të cilat shkaktuan gjithashtu mbyllje të transportit hekurudhor në Irlandën e Veriut. Bora ndikoi në transport në të gjithë Britaninë e Madhe.
Bora më e madhe goditi Skocinë dhe disa pjesë të Anglisë veriore dhe qendrore, me dhjetëra alarme për përmbytje.