Interesante

Uthulla e mollës së egër ilaç natyral për shumë sëmundje / Ja recetat magjike që ju vijnë në ndihmë

Historikisht e njohur që nga kohërat e lashta si një ilaç natyral, uthulla e mollës së egër vazhdon të mbetet një përbërës i rëndësishëm në fushën e shëndetit dhe mirëqenies.

E pasur me enzima e antioksidantë, minerale si kalcium, kalium, magnez, potas, fluor, fosfor, vitamina A, B1-B2-B6, C dhe E, acid cetik, pektinë, beta-karoten etj, ky produkt është padiskutim një depo vlerash ushqyese, ndihmon në luftimin e baktereve dhe promovon një jetë të shëndetshme.

Uthulla e mollës është një nga produktet më të popullarizuara, njerëzit e kanë përdorur atë për shekuj me radhë në gatim dhe mjekësi, por edhe pastrim gjithashtu. Benefitet e saj janë të shumta edhe për sa i përket lëkurës dhe rutinës së bukurisë.

Pikërisht për vlerat e benefitet e këtij ‘ilaçi’ popullor, flasim në rubrikën ‘Bima dhe Shëndeti’ në Rreze Dielli, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, si duhet ta përdorim uthullën e mollës së egër kombinuar dhe me produkte të tjera në parandalimin dhe trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore.

“Në uthullën e mollës së egër gjendet pektina, fibër e tretshme e cila rregullon kolesterolin dhe tretjen. Gjendet acid malik, citrik, folik dhe gallotanik, gjithashtu serbitoli, një polialkal me veti laksative, vitamina, minerale, vajra esenciale me aktivitet antiviral dhe antibakterial, glokozë dhe karbohidrate” thekson Merja në fillim të bisedës.

Për shkak të gjithë këtyre elementeve kimikë, vetitë e uthullës së mollës së egër në shëndet janë të shumta.

“Prezenca e sorbitolit, kaliumit dhe magnezit bën që uthulla e mollës së egër të nxisë tretjen dhe jashtëqitjen. Përdorimi i saj tonifikon muskujt dhe nervat, ul kolesterolin, stimulon mëlçinë, stabilizon sheqerin në gjak, ul tensionin e lartë, zvogëlon variçet, ul temperaturën e lartë, qetëson kollën, pastron sekrecionet” thotë specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, duke vijuar në përdorimin e uthullës së mollës kundër marramendjes, kundër mykut në këmbë, kundër acarimeve të fytit, diarresë si dhe në luftimin e lythave dhe pastrimin e lëkurës.