LAJME

Vazhdohet marrëveshja mes SHSKUK-së dhe policisë, për shërbimet ndaj personelit policor – Albnews

Sot, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorët, priti në një takim me përfaqësues nga SHSKUK-ja, të udhëhequr nga drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi.

Qëllim i takimit ishte vazhdimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të SHSKUK-së dhe PK-së për ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe psikologjike për personelin policor dhe rekrutët (kadetët policorë).

Ky memorandum u nënshkrua sot më 3.12.2024 nga drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha dhe nga drejtori i SHSKUK-së z. Elvir Azizi.

Memorandumi i bashkëpunimit deri në këtë fazë të zbatimit ka rezultuar shumë i suksesshëm me kontrollimet mjekësore /psikologjike për rekrutët e rinj të PK-së dhe kontrollimi sistematik i punonjësve të PK-së, të cilat janë realizuar në QKUK për rekrutët dhe punonjësit e PK-së nga rajoni i Prishtinës si edhe të atyre nga të gjitha drejtoritë rajonale të PK-së në spitalet e përgjithshme të SHSKUK-së.

Zyrtarët policorë janë në shërbim dhe të gatshëm për përmbushjen e detyrave të tyre policore në çdo kohë, andaj përkrahja në trajtimin e tyre mjekësor me prioritet shkon në mbështetje të misionit të tyre në shërbim të qytetarëve të RKS-së pa dallim.