Zgjohet nga koma dhe beson se është ende në vitet ’80, historia e pabesueshme e italianit që “humbi” 39 vite nga jeta – Albnews
Një jetë e tërë e “fshirë” pas një aksidenti. Historia e Luciano D’Adamo është e pabesueshme dhe duket si një film. Ai u zgjua pas aksidentit i bindur se ishte 24 vjeç, me 39 vite kujtime të humbura.
Luciano zgjohet nga koma në vitin 2019 kur ai mendonte se ishte në vitin 1984. Kur një infermiere në spital i kërkoi numrin e telefonit të një të afërmi, Luciano i dha numrin e shtëpisë së nënës së tij.
Kur gruaja e tij prej më shumë se njëzet vjetësh, mbërriti disa orë më vonë, ai nuk e njohu dhe e njëjta gjë ndodhi me djalin e tij. Megjithatë, momenti më i keq ishte kur u pa në pasqyrë për herë të parë, duke mos gjetur më fytyrën e tij djaloshare, por atë të një 63-vjeçari.
“Kur arriti të ngrihej nga shtrati për të shkuar në tualet dhe në pasqyrë u shfaq një burrë me flokë gri dhe rrudha, ai filloi të bërtiste”, shkruan Il Messaggero. Infermieret i shpjeguan se gruaja që kishte parë pak më parë ishte gruaja e tij, vajza që sapo kishte filluar ta shihte 39 vjet më parë.
Ai zbuloi se aksidenti nuk kishte ndodhur në vitin 1980 por në 2019-ën. Luciano nuk e dinte se çfarë ishin celularët, kishte harruar kampionatet e Romës, Botërorin e fituar nga Italia, nuk dinte për Tottin dhe Berlusconin dhe 11 shtatorin. Ai papritmas e gjeti veten në një univers fantashkencë.
I ndihmuar nga mjekë, miq dhe të afërm, të cilët u përpoqën t’i kthenin kujtesën me histori dhe fotografi, ai nuk kujtoi asgjë. Nga ato gati 40 vite të humbura, mbeti vetëm një imazh: vizatimi i një lejleku, emri Matteo, një datë, një orë dhe shkrimi “PN 2300”. Është etiketa në një krevat fëmijësh me kohën e lindjes dhe peshën e nipit të tij të parë, të lindur në 2014.
Rimëkëmbja gjatë këtyre pesë viteve ka qenë një udhëtim i gjatë për Luciano, tani 68 vjeç. Tani ai punon në një shkollë, pasi është njohur vazhdimisht me zakonet dhe teknologjinë moderne./abcnews.al