Zhbllokimi i mallrave serbe, tenderi për furnizim me skaner mobil në fazë të vlerësimit – Albnews
Më 7 tetor, Ministria e Punëve të Brendshme mori vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes Merdarit- nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Kështu tha ministri Sveçla.
Ndërkaq në një konferencë për media kryeministri Kurti tha se derisa të vijnë skanerët vetëm Merdari do të jetë i hapur, ndërsa në momentin që vijnë ata do të hapen të gjitha pikat kufitare.
“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se tenderi për furnizimin me skanerin mobil X-Ray është i hapur.
Stavileci shtoi se më 16 tetor ky tender ka kaluar në fazën e vlerësimit
“Ju njoftojmë se tenderi për furnizimin me skaner mobil X-ray është i hapur. Zyrtarisht më datën 16.10.2024 ka kaluar në fazën e vlerësimit, ku të gjitha ofertat e pranuara do të shqyrtohen në mënyrë të kujdesshme dhe të detajuar, duke respektuar të gjitha kërkesat dhe specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.”
Ai tha se procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e prokurimit publik dhe se do të përzgjidhet oferta më e përshtatshme që i përmbush kërkesat e tyre.
Procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e prokurimit publik, duke siguruar transparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen e ofertës më të përshtatshme që përmbush kërkesat tona. Pas përfundimit të vlerësimit, do të publikohet rezultati dhe do të njoftohen të gjitha palët e interesuara”, kanë thënë nga Dogana për Express.
Perëndimi premton ndihmë
Dy ditë pas ndryshimit të masës së sigurisë, kryeministri Kurti në një konferencë për media tha se duan t’i blejnë skanerët por edhe se i janë premtuar nga evropianët dhe amerikanët.
“Natyrisht që ne nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare ndërkohë që nuk i kemi marrë ende skanerët, të cilët edhe duam t’i blejmë edhe na kanë premtuar edhe evropianët edhe amerikanët. E ndërkohë cfarë kemi bërë ne është që e kemi hapur një pikë të kufirit me ç’rast është në Merdar sepse terminali doganor është vetëm 300 metra larg prej vendkalimit kufitar ku lejohen mallrat por me kontroll të shtuar”, tha Kurti.
Ndërsa, zëdhënësi i ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, në një përgjigje për Gazetën Express tha se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë sa u përket skanerëve.
Ai shtoi se skanerët mund të sigurohen vetëm pas vlerësimit të plotë të nevojave dhe në përputhje me procedurat e prokurimit publik.
“Ne jemi në kontakt me autoritetet kosovare sa u përket skanerëve. Skanerët mund të sigurohen vetëm pas një vlerësimi të plotë të nevojave dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik”, tha Böttcher.
Pse u vendos masa e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia?
Pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë, në qershor të vitit 2023, u vendos masa kufizuese ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Kurti kishte thënë se kjo masë nuk është tregtare por masë sigurie.
“Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë, Kosova ka masa të sigurisë, për shkak se për dy vjet na e kanë sjellë ushtrinë katër herë afër kufirit, dhe për shkak se katër herë kemi konfiskuar sasi të jashtëzakonshme të armatimit”, kishte thënë Kurti.
Kurti i pa nga afër skanerët në Hamburg
Në qershor, Kurti ka vizituar portin e Hamburgut ku ka parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.
Kurti tha se shkoi atje për të mësuar më shumë rreth mundësive që edhe Republika e Kosovës të pajiset me një sistem të këtillë.
Kurti kishte thënë se po shikojnë mundësitë që qeveria gjermane ta pajisë edhe Kosovën me një skaner të tillë.
“Sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt”.